
Federata e Futbollit organizoi me sukses brenda 13 ditëve dy turne zhvillimorë të UEFA-s për moshat U-16, si për djemtë, ashtu edhe për vajzat, duke mirëpritur në Shqipëri gjashtë përfaqësuese europiane.
Veç Shqipërisë, pjesëmarrëse në turnetë “UEFA Development” ishin Kosova, Andorra e San Marino për djem dhe Maqedonia e Veriut, Bullgaria e Gjeorgjia për vajza. Të gjitha ndeshjet u zhvilluan në “Shtëpinë e Futbollit” në Tiranë, sipas një kalendari të miratuar nga UEFA.
Sfidat u transmetuan live në kanalin zyrtar të FSHF-së në YouTube, teksa hyrja ishte falas për tifozët e futbollit.
Ky turne shërben jo vetëm për t’u argëtuar, por edhe për të evidentuar elementë të rinj, djem e vajza që në të ardhmen mund të jenë pjesë e skuadrave kombëtare të moshave apo ekipeve A të vendeve respektive.
Pas këtij organizimi të suksesshëm, FSHF po përgatitet të presë një tjetër event të rëndësishëm – finalet e Kampionatit Europian U-17 “Shqipëri 2025”, që do të zhvillohen nga 19 maji deri më 1 qershor në katër stadiume të vendit tonë: “Arena Kombëtare”, Tiranë, “Elbasan Arena”, Elbasan, “Arena Egnatia”, Rrogozhinë dhe “Niko Dovana”, Durrës.