Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

LAJME

FSHF nënshkruan Memorandum Mirëkuptimi me UNHCR. Presidenti Duka: Të ndihmojmë në përmirësimin e jetës së refugjatëve përmes futbollit

Shkruar nga NEWSPORT
FSHF nënshkruan Memorandum Mirëkuptimi me UNHCR. Presidenti Duka:
Armand Duka dhe Toshitsuki Kawauchi

Federata e Futbollit dhe UNHCR (Zyra e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët) nënshkruan sot në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” një Memorandum Mirëkuptimi për të forcuar bashkëpunimin në promovimin e përfshirjes së refugjatëve, azilkërkuesve dhe personave pa shtetësi, si dhe kohezionit social dhe zhvillimit të të rinjve përmes futbollit.

Ky memorandum, i nënshkruar nga Presidenti i FSHF-së, Armand Duka dhe përfaqësuesi i UNHCR në Shqipëri, Toshitsuki Kawauchi, pasqyron angazhimin e përbashkët për të përdorur fuqinë e futbollit në forcimin e lidhjeve midis refugjatëve dhe komuniteteve pritëse në të gjithë vendin tonë.

Marrëveshja ndërtohet mbi partneritetin e gjatë botëror midis UNHCR-së dhe UEFA-s, duke njohur sportin si një mjet të fuqishëm për mbrojtje, përfshirje dhe mirëqenie.

Sipas këtij memorandumi, UNHCR dhe FSHF do të punojnë së bashku për të krijuar më shumë mundësi për fëmijët dhe të rinjtë nga komunitetet pritëse dhe ato të refugjatëve që të angazhohen në futboll. Partneriteti do të sigurojë hapësira të sigurta dhe gjithëpërfshirëse ku ata mund të zhvillojnë aftësitë e tyre në një mjedis që promovon punën në ekip, qëndrueshmërinë dhe solidaritetin.

Pas nënshkrimit të memorandumit, Presidenti Duka tha se firmosja e këtij memorandumi është shumë i rëndësishëm për përfshirjen dhe mbështetjen e të gjithë refugjatëve që jetojnë në Shqipëri.

“Nuk është fillimi i bashkëpunimit tonë me UNCHR, për përfshirjen e refugjatëve, integrimin dhe mbështetjen e tyre. Kemi zhvilluar edhe një ndeshje miqësore në muajin maj, në ditën kombëtare të refugjatëve. Nëpërmjet kësaj marrëveshje, do të vazhdojmë të zhvillojmë aktivitete sensibilizuese dhe përfshirëse për të gjithë refugjatët që janë në vendin tonë.

Në muajin e ardhshëm do të jemi pjesë e Unity Cup, organizuar nga UEFA me një ekip refugjatësh nga Shqipëria. Nuk është e lehtë, pasi refugjatët që janë në Shqipëri janë pa dokumenta. Por në bashkëpunim me Ambasadën Holandeze, kemi vënë gjithçka në rrugën e duhur për ta zhvilluar këtë aktivitet.

Ky memorandum që po firmosim sot zyrtarizon bashkëpunimin tonë, që e kemi pasur dhe për ta çuar në një nivel edhe më të lartë. Është një nga objektivat tonë që nëpërmjet futbollit të ndikojmë në jetën e shoqërisë shqiptare dhe të gjithë atyre që jetojnë në vendin tonë. Këtij objektivi i shërben edhe kjo marrëveshje, që të ndihmojmë edhe jetën e refugjatëve nëpërmjet futbollit dhe të japim këtë mesazh përmes lojës tonë të bukur.

Ju falënderoj edhe njëherë për besimin që keni në bashkëpunimin me ne dhe për firmosjen e kësaj marrëveshje”, – tha Presidenti Duka në fjalën e tij.

Përfaqësuesi i UNHCR në Shqipëri, Toshitsuki Kawauchi, në fjalën e tij pas firmosjes së Memorandumit u shpreh i lumtur dhe vlerësoi FSHF-në për mbështetjen dhe solidaritetin e treguar për çështjen e refugjatëve.

“Jam shumë i lumtur që sot po e formalizojmë këtë bashkëpunim përmes nënshkrimit të një Memorandumi Mirëkuptimi.

Për ne, Agjencia e OKB-së për Refugjatët, padyshim që baza është si t’u ofrojmë refugjatëve mundësinë për të rindërtuar jetën e tyre në siguri dhe me dinjitet, kudo që ndodhen, përfshirë Shqipërinë.

Refugjatët që zgjedhin të jetojnë në Shqipëri gëzojnë siguri dhe një standard të mirë jetese. Por sporti është diçka universale, që flet për të gjithë. Dhe në veçanti do të theksoja futbollin, një sport që pëlqehet nga një pjesë shumë e madhe e popullsisë në Shqipëri dhe në mbarë botën.

Ndaj dua sinqerisht t’ju falënderoj ju,  President, dhe stafin tuaj për këtë bashkëpunim. Sepse jo vetëm që ju dhe skuadra juaj po shfaqni solidaritet për çështjen e refugjatëve, por edhe në praktikë, disa fëmijë refugjatë tashmë kanë marrë pjesë në ndeshje.

Ata kanë shprehur se, po citoj, ‘nuk flasim të njëjtën gjuhë, por e kuptojmë njëri-tjetrin kur luajmë’.

Ky është shpirtit i sportit, shpirtit i futbollit.

Faleminderit edhe një herë për mbështetjen tuaj dhe për solidaritetin që po shfaqni për kauzën e refugjatëve. Jam i bindur që bashkëpunimi ynë do të vazhdojë të forcohet edhe më tej”, – tha përfaqësuesi i UNHCR në Shqipëri, Toshitsuki Kawauchi.

Poll

Lexo gjithashtu