Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

LAJME

Incidenti me KF Tërnocin / FSHF i drejtohet Federatës Serbe të Futbollit, kërkon të sqarohet ngjarja dhe të merren masa

Shkruar nga NEWSPORT
Incidenti me KF Tërnocin / FSHF i drejtohet Federatës Serbe të
 

Federata Shqiptare e Futbollit i ka dërguar një letër zyrtare Federatës Serbe të Futbollit, duke shprehur shqetësimin e saj të thellë në lidhje me incidentin e ndodhur më 6 prill në Bosilegrad, gjatë ndeshjes së kampionatit në ligën e pestë të Serbisë midis KF Tërnocit dhe Mladostit.

Sipas pamjeve të publikuara në media dhe komunikatës së vetë klubit të Tërnocit, në përfundim të ndeshjes, forca të policisë serbe janë futur në fushën e lojës, ku kanë ushtruar dhunë fizike ndaj futbollistit Veton Zeqiri, ndërsa ndaj pjesëtarëve të tjerë të ekipit janë përdorur fyerje dhe kërcënime. Më pas, policia ka bastisur dhomat e zhveshjes, duke kontrolluar edhe sendet personale të lojtarëve.

Në letrën drejtuar FFS-së, Federata Shqiptare e Futbollit thekson se ky incident ngre pikëpyetje mbi kushtet në të cilat ekipet dhe lojtarët marrin pjesë në veprimtaritë futbollistike dhe se situata të tilla mund të ndikojnë edhe në frymën e lojës së ndershme dhe respektit të ndërsjelltë.

“Ndajmë shqetësimin tonë në lidhje me një incident të ndodhur së fundmi me ekipin KF Tërnoci gjatë ndeshjes së zhvilluar më 6 prill në Luginën e Preshevës. Sipas disa raportimeve mediatike dhe pamjeve filmike të bëra publike, në përfundim të ndeshjes, forcat e policisë kanë hyrë në fushë, kanë ushtruar forcë fizike ndaj të paktën një lojtari — z. Veton Zeqiri — dhe më pas kanë kryer kontrolle në dhomën e zhveshjes së ekipit, duke kontrolluar edhe sendet personale të lojtarëve.

Ky incident ka shkaktuar shqetësim të konsiderueshëm dhe ngre pikëpyetje serioze mbi kushtet në të cilat ekipet dhe lojtarët marrin pjesë në veprimtaritë futbollistike. Situata të tilla jo vetëm që rrezikojnë mirëqenien e të përfshirëve, por mund të ndikojnë edhe në frymën e lojës së ndershme dhe respektit të ndërsjelltë — elemente thelbësore për sportin tonë, sidomos në kuadër të përgatitjeve tona të përbashkëta për UEFA Euro U21 2027”, – thuhet në letrën e FSHF-së, që njëkohësisht kërkon që të sqarohen faktet dhe të merren hapat e duhur që të gjithë lojtarët dhe ekipet të trajtohen me drejtësi e dinjitet.

“Në këtë kontekst, ju drejtohemi me mirëkuptim dhe respekt për të kërkuar që Federata e Futbollit e Serbisë të shqyrtojë me vëmendje këtë çështje, të ndihmojë në sqarimin e fakteve dhe, aty ku është e nevojshme, të ndërmarrë hapat e duhur për të garantuar që të gjithë lojtarët dhe ekipet — pa dallim — të trajtohen me drejtësi, dinjitet dhe në përputhje me parimet që përfaqëson sporti ynë”.

Federata Shqiptare e Futbollit do të ndjekë me vëmendje zhvillimet në vijim dhe mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e të drejtave dhe dinjitetit të të gjithë aktorëve të futbollit shqiptar, brenda dhe jashtë kufijve të vendit.

Tags:

tag/fshf

Poll

Lexo gjithashtu

Superiore - Ndeshjet

Kategoria Superiore

Itali - Serie A

Spanjë - La Liga

Angli - Premier League

Gjermani - Bundesliga