Piloti italian, Andrea Kimi Antonelli ka folur hapur për të ardhmen e tij në Formula 1, duke u ndalur te lidhja emocionale që ka me Ferrarin, por dhe tek ambicia me të cilën e afron me Mercedes-in. Gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve “Caschi d’Oro e Volanti ACI 2025”, Antonelli theksoi se ndihet mirënjohës për mundësinë që i ka dhënë skuderia gjermane, ndërsa sigurisht që synon dhe majat e suksesit.
“Të garosh për Ferrarin është diçka e mrekullueshme, por unë jam shumë i kënaqur aty ku jam dhe jam mirënjohës për besimin që më ka dhënë Mercedes. Ëndrra ime tani është të fitoj një Kampionat Botëror me ta, pastaj në të ardhmen do të shihet”, u shpreh ai për median “SkyNews”.
Me “sytë ” nga 2026 dhe e ardhmja që e pret, Antonelli nënvizoi se ndryshimet e mëdha në rregullore do t’i vendosin të gjithë pilotët në të njëjtën pikë nisjeje.
“Në vitin 2026 do të nisim të gjithë nga zero. Askush nuk e di çfarë të presë nga makinat e reja. Kam punuar shumë në simulator, por është ende herët për të bërë parashikime. Do të ishte fantastike të luftoja për fitore dhe pse jo, për titullin”, tha talenti italian.
Sa i përket sezonit të sapo përfunduar dhe të mbyllur me vendin e 7-të, Antonelli e vlerësoi si përgjithësisht pozitiv, edhe pse pranoi se kishte hapësirë për më shumë. Ai theksoi se kapërcimi i një periudhe të vështirë e ndihmoi të rritej si pilot dhe si person, duke reflektuar drejtpërdrejt në paraqitjet e forta në pjesën e dytë të sezonit.
