
Akil Gjakova, shqiptari kampion europe në sportin e xhudos, është shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës. Përmes një njoftimi publik, autoritetet bënë me dije se sportisti 28 vjeçar akuzohet për dhunë në familje dhe deri tani nuk është mundur të ndalohet.
Xhudisti i njohur kosovar, Akil Gjakova është denoncuar nga bashkëshortja e tij për dhunë. Ai kishte kërkuar ndarjen nga bashkëshortja, por kjo e fundit i është përgjigjur me një kundërpadi, ku mes tjerash, ka deponuar se ai ka ushtruar dhunë.
Në lidhje me këtë ngjarje ka reaguar edhe Federata e Xhudos në Kosovë, e cila tha se dënon dhunon, por që beson në pafajësinë e Gjakovës. Ata ndër të tjera u bëjnë thirrje organeve të drejtësië që të zbardhin këtë rast sa më parë.
“Federata e Xhudos e Kosovës dënon fuqishëm çdo formë dhune dhe jemi thellësisht të shqetësuar për ngjarjet e fundit në vendin tonë. Ne e kemi për prioritet të mbrojmë dhe të promovojmë barazinë gjinore, e cila është e vërtetuar me arritjet kulminante dhe përkrahjen e shkëlqyeshme të sportisteve tona.
Ne besojmë në pafajësinë e Akilit dhe urojmë që organet e rendit të drejtësisë sa më parë të zbardhin rastin. Andaj ftojmë mediat të tregojnë maturi në trajtimin e këtij rasti dhe të ndalojnë njollosjen dhe gjykimin publik të një nga figurave që vazhdon të promovoj imazhin pozitiv të vendit tonë. Akili momentalisht ndodhet jashtë territorit të Kosovës, dhe do të dorëzohet menjëherë tek organet e rendit dhe të drejtësisë në momentin që do të arrijë në Kosovë”, thuhet në deklaratën e
Federatës së Xhudos në Kosovë.
Kujtojmë që më 16 Dhjetor 2023, Akil Gjakova fitoi medalje ari në Kampionatin Europian të Xhudos duke u shpallur më i miri në Europë.