Elis Bakaj vendosi të mos luante në finalen e mbijetesës për Vllazninë, duke deklaruar në “Top Channel” se “nuk i bëjnë këmbët për të luajtur kundër Tiranës”, duke qenë se kjo sfidë vendos me shumë mundësi nëse shkodranët apo kryeqytetasit do të bien në Kategorinë e Parë.
Një deklaratë kjo e cila nga gazeta “Sport Ekspres” është përdorur me nota humori në faqen zyrtare në internet.
Duke marrë shkas nga fakti që edhe sulmuesi i Juventusit, Higuain është një “ish” i Real Madrid, “Sport Ekspres” gjen momentin për të hequr një paralelizëm duke shkruar: “Bomba e Higuain: Nuk luaj ndaj Realit në finale të Champions, nuk më bëjnë këmbët”.
Pas Elis Bakajt, sot edhe Gilman Lika i Tiranës u shpreh se në këtë situatë, ai nuk mund të luajë dot për Tiranën, sepse kjo sfidë mund të vendosë fatin e Vllaznisë që mund të bjerë në Kategorinë e Parë.
Por, duket se ndjenjat e lojtarëve, që përtej çdo profesionalizmi, janë vendime që janë mirëkuptuar nga klubet respektive, për gazetën “Sport Ekspres” shërbejnë edhe për pak humor, ndoënse situatë sigurisht që më shumë se kujtdo i ‘djeg’ futbollistëve në fjalë, që gjatë këtyre ditëve kanë dëgjuar shumë të flitet për ta.