
Lirim Kastrati është një nga lojtarët që dëshironte të grumbullohej në Kombëtaren U-19 të Shqipërisë nga trajneri Erjon Bogdani. Kjo është e konfirmuar nga newsport.al (Lexo këtu), që ka një intervistë ekskluzive me futbollistin në fjalë. Pikërisht në datën 18 shtator të vitit të shkuar, talenti 19-vjeçar është rrëfyer për redaksinë tonë, teksa arriti deri aty sa të thonte: "Flamuri i Kosovës nuk është i vërtetë".
Ndërsa dje, krejt papritur një nga mediat sportive të Kosovës, siç është gazeta "Olle" raportonte se Federata Shqiptare e Futbollit (Lexo këtu) dëshironte t'i merte lojtarin, pa dëshirën e tij. Në fakt kjo nuk është aspak e vërtetë, pasi vetë dëshira e Kastratit, të paktën para disa muajsh ishte të përfaqësonte ngjyrat kuqezi. Madje ai i kërkonte Erjon Bogdanit që ta grumbullonte dhe t'i jepte vetëm 10 minuta lojë në këmbët e tij. Tashmë lojtari është 19-vjeç dhe gjasat janë që t'i bashkohet Kombëtares U-21 të drejtuar nga trajneri Alban Bushi.
Por, siç duket politikat e mediave kosovare janë krejt të ndryshme nga realiteti. Një intervistë nuk mund të zhbëhet ose më saktë e "zeza mbi të bardhë" nuk mund të fshihet.
Ne, gazetarët as nuk i marrim dhe as nuk i japim lojtarët tanë nëpër botë. Puna jonë është të promovojmë vlerat e tyre që në një të ardhme t'i shërbejnë fanelës që ata e ndjejnë si detyrim për ta përfaqësuar. Le t'i lëmë hendeqet këtu ku janë dhe të punojmë për t'i mos thelluar më shumë... /Newsport.al./