Administratori i Flamurtarit Sinan Idrizi nuk e quan të mbyllur merkaton e kësaj vere. Në synimet e tij nuk janë vetëm lojtarë shqiptarë, por ai lë të hapur mundësinë që të afrohet edhe ndonjë i huaj. Në një prononcim për mediat, numri një i klubit kuqezi tregon se deri më sot është bërë punë e mirë dhe se Flamurtari i këtij sezoni i duket shumë më ndryshe. Sa iu përket emrave që do të afrohen, ai lë mundësinë se do të shihen në të ardhmen.
“Nuk e kemi mbyllur ende merkaton. Jemi duke parë për disa lojtarë në tregun shqiptar. Por, jo vetëm në Shqipëri. Po shohim mundësinë e afrimit edhe të ndonjë lojtari të huaj. Edhe pse FSHF na ka kushtëzuar numrin e lojtarëve të huaj, ne do të bëjmë punën tonë. E kam thënë q është e vështirë të gjesh lojtarë në tregun shqiptar, pasi prej vitesh Shqipëria nuk po nxjerr talente dhe ky është problem më vete. Ndaj ne jemi në merkato dhe kemi vendosur që të afrojmë futbollistë. Do të jenë shqiptarë dhe të huaj. Se sa do të jetë si numër, mbetet për t’u parë. Unë siguroj se do të jenë lojtarë cilësorë”.
“Kemi ndërtuar super ekip. Trajneri Magani dhe menaxherët tanë janë kujdesur që të bëjnë zgjedhje të mira dhe unë i përgëzoj për punën që kanë bërë. I kam ndjekur në stërvitje dhe kam bindjen se kemi ndërtuar një grup të mirë”.
“Për mua objektivi kryesor është respekti ndaj fanellës. Nëse ke vlerësim për atë fanellë që peshon shumë, për mua arrin çdo objektiv. Kam shumë besim te ky ekip për shkak se shoh punëtorë dhe kokulur. Mua kjo më intereson shumë”.