Sulmuesi i Kukësit, Izair Emini, i hoqi nga duart verilindorëve barazimin në Vjenë, i cili do të ishte rezultat mjaft pozitiv për ndeshjen e kthimit që do të luhet në “Elbasan Arena”. Kukësi u mund me rezultatin 1-0 nga Austria e Vjenës, por çdo gjë mbetet e hapur për ndeshjen e kthimit. Izair Emini pati të gjitha mundësitë që të barazonte në minutën e parë shtesë të ndeshjes, por goditi shtyllën.

“Ishte rast mjaft i mirë, por për fat të keq nuk realizova dot. Fati nuk ishte me mua. Ishte aksion që po e ndiqja me sy. Sapo Musolli morri topin, e dija që do të godiste portën. Në fillim iu ruajta pozicionit jashtë loje dhe u hapa pak, pastaj po ndiqja me vëmendje gjuajtjen, e cila i shpëtoi portierit nga duart. Kur e pash portierin të shtrirë mendova ta gjuaja topin lartë për të pasur të sigurt golin, por për fat të keq kapi shtyllën pingule, e cila na mohoi golin”, tha fillimisht sulmuesi.
“Jam i mërzitur që nuk shënova, barazimi do të ishte rezultat mjaft pozitiv për ne. Besoj se jemi në nivelin e duhur. Nëse do të luajmë kështu edhe në Shqipëri, mendoj se kemi mjaft shanse për t’u kualifikuar”, deklaroi Izair Emini për “Panorama Sport”.