
Barazimi i djeshëm kundër Laçit, ka venitur shpresat te Partizani për të arritur te trofeu i munguar prej kohësh, titulli kampion. Megjithatë matematika lejon që të kuqtë të shpresojnë ende se pas 24 vitesh të rikthejnë në kryeqytet titullin kampion. Partizani gjendet në vendin e tretë, 2 pikë pas Kukësit kryesues dhe 1 pikë pas Skënderbeut të vendit të dytë.
Të kuqtë e drejtuar nga Starova duhet të fitojnë të hënën në transfertën e Vlorës dhe më pas të shpresojnë për një fitore të Skënderbeut në Kukës që do të ndryshonte pozitat në klasifikim dhe vetë të fitojnë kundër Korabit në Tiranë. Sfida e fundit do të ishte ajo që do të përcaktonte gjithçka. Nëse të besuarit e Starovës do të arrinin të mposhtnin Skënderbeun në transfertën e Korçës, atëherë pas 24 vitesh do të rikthenin titullin kampion në kryeqytet.