
Shkëndija e Tetovës është mundur mbrëmjen e sotme në Belgjikë përballë KAA Gent me rezultatin 2-1. Sfida nisi me gol të tetovarëve, ku Ibraimi shënoi gol të bukur nga kombinimi në goditje dënimi, ndërsa 45-minutat e para tetovarët arritën të mbizotëronin në lojë dhe aksione.
Në fund të pjesës së parë për shkak të një mosmarrëveshjeje në zonën e tyre pësojnë golin e barazimit, ndërsa në fraksionin e dytë të ndeshjes vazhduan të ndesheshin si të barabartë me belgët. Megjithatë, kur po mendohej se sfida do të përfundonte me rezultatin e barabartë 1-1, belgët shënojnë në kohën shtesë me Kalifa Kulibali. Ky i fundit ndodhet në kohën dhe vendin e duhur në zonën e skuadrës shqitpare, duke dërguar sferën në rrjetë.
Shkëndija me golin e shënuar në fushën kundërshtare ka shumë shpresa që në takimin e kthimit që do të luhet pas një jave në “Arena Filipi II” të kërkojë minimalisht fitoren 1-0 për të kaluar në fazën në grupe të Europa League.