Roma siguroi një fitore me shumë vlera ndaj Fiorentinës në sfidën e javës së 18-të të Serie A, teksa verdhekuqtë triumfuan me shifrat 2-0. Një nga lojtarët më të mirë në fushën e lojës ishte edhe mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Marash Kumbulla.
Për mbrojtësin shqiptar Kumbulla ishte ndeshja e dytë radhazi që luan 90 minuta, pasi në formacionin bazë ishte edhe në mesjavë në Kupën e Italisë ku Roma mposhti Torinon 1-0. Pas fitores së mbrëmshme Jose Mourinho nuk i kursei lëvdatat për shqiptarin, por theksoi se përpara tij është Roger Ibanez që është një “kafshë” që i ha të gjithë.
“Kumbulla është është një profesionist i vërtetë, por ai që i ha të gjithë në mbrojtje është Ibanez. Marashi ka luajtur dy ndeshje në një cilësi të lartë. Është një profesionist i vërtetë. Ne kemi vetëm katër qendërmbrojtës dhe Marashi na jep gjithmonë reagime pozitive edhe pse në hierarki është i katërti. Ai luan pak, por na jep përgjigje pozitive kur thirret në detyrë”, deklaroi Mourinho.
Kujtojmë se Kumbulla ka luajtur vetëm gjashtë ndeshje këtë edicion me Romën, por sa herë është paraqitur ka dërguar sinjale pozitive te “Special One”.