Alush Gavazaj sqaron episodin e ndodhur dje në sfidën Tirana-Korabi 2-0. Mesfushori i talentuar u zëvendësua nga trajneri i skuadrës dibrane në minutën e 76-të, ndërsa në një nga mediat sportive të shkruara u raportua se Gavazaj u shfaq nervoz pas ndërrimit dhe më pas administratori i klubit, Femi Mëziu e ofendoi atë.
Për newsport.al, mesfushori 21-vjeçar i Korabit sqaron episodin e ndodhur duke u shprehur se nuk është ofenduar nga administratori.
“Kur mora sinjalin nga tabela elektronike për të lënë fushën e lojës sigurisht që isha i mërzitur për vetë rezultatin sepse ishim duke humbur 0-2, por edhe për faktin se kërkoja të ndihmoja ekipin deri në fund të ndeshjes. Gjithsesi, unë gjithmonë kam respektuar vendimet e të gjithë trajnerëve me të cilët kam punuar dhe do t’i respektoj edhe në vazhdim. Është trajneri ai që vendos kur një lojtar hyn dhe kur del nga loja.
Gjithsesi, nuk kisha asnjë rezervë dje ndaj trajnerit Nexhipi për zevendësimin. Gjithashtu dua të sqaroj edhe momentin kur në një nga gazetat sportive është shkruar sot se administratori i klubit më ka fyer. Nuk është aspak e vërtetë që Mziu më ka fyer. Jam lojtar profesionist dhe te Korabi edhe pse gjërat nuk na kanë shkuar siç duhet, unë do të jap maksimumin deri në ndeshjen e fundit të kampionatit”, shprehet për newsport.al, mesfushori i Korabit, Alush Gavazaj, i cili gjatë këtij sezoni ka qenë titullar fiks në skuadrën dibrane, madje duke shënuar edhe një gol që i dha barazimin 1-1 kundër Kukësit.