
Miroslav Vujadinoviç, është portieri malazez që ka firmosur prej dy javësh te skuadra dibrane, Korabi. Ai më parë ka qenë pjesë e Vllaznisë dhe Laçit në kampionatin tonë, por që në gjashtë muajt e fundit nuk është aktivizuar sa duhet nga skuadra kurbinase.
Megjithatë, shtatlarti malazez ka firmosur kontratën te Korabi dhe pritet që të jetë i pari për katërkëndorin. Por, Vujadinoviç mund të mos ishte pjesë e skuadrës që ka zgjedhur, pasi në drejtim të tij ka pasur disa oferta.
Lojtari është njohur me ofertën e bujshme iraniane vetëm 24 orë pasi kishte firmosur te Korabi. Menaxherët e tij kanë pasur tratativa me një skuadër iraniane, e cila e ka dashur portierin ta kishte pjesë të vetin, por që kontrata në Shqipëri nuk e lejoi. Mësohet se ai do të përfitonte më tepër para dhe do të firmoste kontratë 2-vjeçare.