Pescara është e gatshme të bëjë gjithçka që të mbajë në skuadër vlonjatin Ledian Memushaj edhe për këtë sezon. Lojtari shqiptar është pjesë e rëndësishme e italianëve, të cilët këtë sezon janë ngjitur në serinë A. Qëllimi i drejtuesve është që bërthama e ekipit të ruhet, më pas të projektohen afrimet në merkato. Sipas “Il Centro” drejtuesit e ekipit dëshirojnë një takim me shqiptarin, ku do të mundohen të gjejnë një gjuhë të përbashkët për të ardhmen. Një ndër çështjet që pritet të diskutohet është paga e lojtarit, ku drejtuesit italianë do t’i ofrojnë rritje rroge.
Nuk bëhet e ditur se sa do të jetë shuma e rrogës që Memushaj do të përfitojë, por flitet se skuadra italiane është e gatshme t’i ofrojë një kontratë deri në 2020.