
Sherri i ndodhur mes trajnerit të Kamzës, Bledar Devolli, dhe lojtarit të Partizanit, Idriz Batha, ende nuk është mbyllur. Palët janë në konflikt të hapur, ndërsa dje presidenti i Kamzës dhe trajneri i saj janë ankuar për sjelljen e lojtarit të kuq pas ndeshjes si dhe për kërcënimet që janë bërë.
Por, mesfushori mohon diçka të tillë dhe e quan moment gjaknxehtësie në ndeshje atë që ka ndodhur. Batha sqaron situatën për "Panorama Sport", ku shprehet: "Realisht kam mbetur i habitur nga ato që kam lexuar dje në media, pasi historinë e kam sqaruar dhe e kam mbyllur aty ku ndodhi me Devollin".
"Dua të përmendem si futbollist për atë që jap në fushë e jo për histori të tjera që nuk ekzistojnë. Jam karakter i nxehtë dhe situata të tilla sikur më ndjekin nga pas, por realisht në miqësore u tregova i përmbajtur, ndonëse u ofendova. Në darkë nuk kam shkuar për të kërcënuar Devollin, por për të sqaruar situatën dhe e kemi mbyllur këtë histori. Për këtë kam edhe dëshmitarë që janë miq të mitë dhe të Devollit. Rëndësi ka që të sqarohemi miqësisht mes palëve. Mbetem i habitur nga reagimi i drejtuesve të Kamzës, të cilët në këtë histori duan të përfshijnë edhe FSHF-në. Nuk dua të merrem me momentet pas përplasjes, mes nesh është sqaruar gjithçka".