Shqipëria mori një fitore të rëndësishme ndaj Polonisë në “Air Albania”. Kuqezinjtë triumfuan me shifrat 2-0, ku Jasir Asani dhe Mirlind Daku tundën rrjetën e polakëve me supergola.
Një tjetër protagonist në sfidat me Çekinë dhe Poloninë ishte edhe Kristjan Asllani. Mesfushori i kombëtares tashmë ka kthyer gjithë vëmendjen e tij te derbi i Italisë në Serie A. në një intervistë për mediat italiane, Asllani theksoi se Milan ka një ekip cilësor, por në fund do të jetë Interi skuadra që do të triumfojë.
“Derbi? Milan është një ekip shumë cilësor dhe do të jetë një ndeshje e bukur. Ata kanë bërë një nisje të mirë, por ne jemi të fortë, kam besim se do të bëjmë mirë dhe do të japim më të mirën për të marrë maksimumin. Merkato? Kisha mundësi për një huazim, por pasi fola me drejtuesit, vendosa të qëndroj këtu. Interi është ëndrra ime e madhe”, ka deklaruar 21-vjeçari.