
Trajneri i Kosovës, Primoz Gliha, ka folur në konferencën zyrtare për shtyp përpara ndeshjes me Zvicrën, nesër në orën 20:45 në stadiumin Fadil Vokrri. Gliha i kërkon lojtarëve të tij të mos gjejnë justifikime dhe të tregohen profesionistë për të dhënë maksimumin në këtë ndeshje.
Si ka punuar skuadra gjatë këtyre 5 ditëve në dispozicionin tuaj?
Kemi punuar mirë gjatë këtyre 5 ditëve dhe jemi munduar të gjejmë zgjidhjet e duhura për t’u përballur denjësisht me kundërshtarin. Kemi pasur disa probleme, por kemi punuar për të gjetur zgjidhjet e duhura.
Sa e vështirë ka qenë të përgatisësh këtë ndeshje nën presionin e rezultatit, por edhe forcës së kundërshtarit?
Nëse dikush kërkon të gjejë justifikime, atëherë mund të fshihet pas presionit, por ne jemi profesionistë dhe jemi të mësuar të punojmë edhe në situata të tilla. Pavarësisht presionit, ne kemi punuar mirë dhe do të provojmë të bëjmë mirë. Në futboll duhet të mendosh gjithmonë pozitivisht dhe të hysh në fushë për rezultate pozitive.
Si ju janë dukur Korenica dhe lojtarë të tjerë të rinj në grumbullim?
Kemi djem të rinj, shumë të talentuar, që kanë punuar shumë mirë, por ndaj Zvicrës edhe presioni do të jetë shumë i madh. Duam t’i përfshijmë gradualisht në ekip, që shumë shpejt të shndërrohen në pika të rëndësishme.