
Futbolli europian në këtë vit mund të kthehet në një arenë të rëndësishme për shumë lojtarë të rinj të talentuar. “France Football” ka përzgjedhur në një listë 10 futbollistë të cilët do të mbushin moshën 20 vjeç gjatë 2017-s, ndërsa këshillon që ecuria e tyre të ndiqet me vëmendje pasi secili ka potencial për t’u kthyer në një yll.
1. Osman Dembele (Borusia Dortmund / Francë)
Pas shpërthimit në kampionatin francez me Ren, lojtari i talentuar ka dhënë shenja të aftësive të tij me një klub që ka pretendime më të mëdha si Borusia Dortmund.
2. Gabriel Hezus (Mançester Siti / Brazil)
Kampion i Brazilit, fitues i Lojërave Olimpike në Rio, autor i 5 golave në 6 ndeshjet e tij të para me kombëtaren e madhe të Brazilit, i transferuar te Mançester Siti për 32 milionë euro. A keni nevojë për arsye të tjera pse duhet të ndiqni këtë lojtar gjatë vitit 2017?
3. Markus Rashford (Mançester Junajtid / Angli)
Ky është një nga lojtarët që ka mahnitur këdo me aftësinë për t’u përshtatur, duke shënuar pothuajse në çdo ndeshje ku ka debutuar me klubin apo kombëtaren. Duke u rritur nën hijen e Ibrahimoviçit, do të ketë më pak trysni mbi shpatulla.
4. Renato Sançez (Bajern Mynih / Portugali)
Viti 2016 e ktheu nga një futbollist premtues te Benfika, te një yll shpërthyes me Portugalinë në Europian dhe i siguroi një kontratë me Bajernin e Mynihut. Tani ka ardhur koha që të bëhet pjesë e pandashme e formacionit titullar te bavarezët.
5. Juri Tielemans (Anderleht / Belgjikë)
Ka debutuar me Anderlehtin në Ligën e Kampioneve që në moshën 16 vjeç e 148 ditë, por tashmë është gati për një kampionat të madh, ku të tregojë vlerat e tij. Shumë klube e ndjekin me interes mesfushorin.
6. Amadu Diauara (Napoli / Guinea)
Pak lojtarë mund të arrijnë të përshtaten aq lehtë sa Diauara me një kampionat shumë kërkues si Seria A dhe me një klub që ka pretendime si Napoli. Një tjetër bast i fituar me të rinjtë nga trajneri Mauricio Sarri.
7. Brel Embolo (Shalke / Zvicër)
Shkëlqente te Bazeli, ku gjithçka ishte më e lehtë pasi gjendej në një klub që dominonte me lehtësi kampionatin. Por i riu i talentuar zviceran po tregon mjaft mirë vlerat e tij edhe në kampionatin gjerman me Shalken.
8. Emre Mor (Borusia Dortmund / Turqi)
Kushdo në Turqi ju konfirmon se ai është një talent, ndërsa ka filluar ta vërtetojë këtë edhe në një ekip të mbushur me yje të rinj si Borusia Dortmund. Deri ku mund të arrijë talenti turk i radhës?
9. Oliver Bërk (RB Lajpcig / Skoci)
Të luash me Notingam Forest dhe të marrësh nofkën “Garet Bejl i Skocisë” është diçka. Të përsëritësh gjithçka me RB Lajpcig në vitin e parë në Bundesligë, tregon se mundësitë për të arritur ato nivele ekzistojnë plotësisht.
10. Isa Diop (Tuluzë / Francë)
Akademia franceze e mbrojtësve vazhdon të prodhojë lojtarë të nivelit të lartë dhe që tani në Francë diskutohet për afrimin e tij me kombëtaren e madhe të Didier Deshamp për t’i dhënë më shumë eksperiencë