
SHKËNDIJA-RABOTNIÇKI 3:0 (2:0)
Arbitër: Dejan Jakimovski
Golashënues: Junior 19', Alimi 37' dhe Totre 90' (Shkëndija)
SHKËNDIJA: Zahov, Murati, Bejtullai (c), Neziri, Mici, Zejnullai, Alimi, A. Ibraimi (Totre 75'), Felipe (Radeski 69'), Junior, Shefiti (B. Ibraimi 88').
Trajner: Erhan Selimi
RABOTNIÇKI: Shishkovski, Velkovski, Iliq, Herera (c), Petkovski, Markoviq (Siljanovski 74'), Stojkov, Todorovski, Sharkoski, Stojçevski (Krstevski 46'), Klisura (Jusufi 46').
Trajner: Aleksandar Vlaho
Me Erhan Selimin në pankinë skuadra u duk e karikuar për të ndërprerë serinë negative, për më shumë që mungonte fitorja në katër xhirot paraprake. Kuqezinjtë operonin në pjesën kundërshtare dhe epërsisë i'u afruam në minutën e 8-të me Juniorin, mirëpo braziliani vonohet pas aksionit të Shefitit dhe mysafirët pastrojnë rrezikun. Shkëndija ishte në sulm vazhdimisht dhe loja e tillë solli ndryshim në minutën e 19-të kur Mici harkon para portës, ndërsa Junior me kokë shënon golin e epërsisë. Kundërshtari u mundua të përgjigjet duke tentuar të ushtrojë presion, mirëpo u përball me një Shkëndijë mirë të organizuar në defanzivë dhe për minuta të tërë munguan shanset para portave respektive. Qetësia do të prishej në minutën e 37-të kur pas një aksioni nga krahu i majtë Mici pason brenda zonës për Alimin, i cili krijon pozitë dhe me një të djathtë të fortë shënon gol të bukur për dyfishim të rezultatit. Kundërshtari në pjesën e parë ishte totalisht i pafuqishëm dhe dëshmi për këtë është fakti se goditjen e parë në kuadrantin e portës e kishin në minutën e 44-t kur Zahov pa problem kontrollon tentimin e plogshtë të Petkovskit.
Fraksionin e dytë e nisëm me një bombë të Zejnullait që fatkeqësisht nuk gjeti kuadrantin. Shkëndija vazhdoi të kontrollojë ngjarjet në fushë dhe kishte disa mundësi për të sjellë golin e tretë, mirëpo Alimi në dy raste dhe Shefiti një herë nuk arrijnë të realizojnë. Tetë minuta para fundit aksion të bukur zhvillojnë Junior dhe Totre, asisti i brazilianit devijohet dhe pastrohet në moment të fundit nga Shishkovski, ndërsa në vazhdim Radeski gjuan në trup të portierit mysafir. Gjithsesi kuqezinjtë do të sillnin golin e tretë në minutën e 90-të kur Besart Ibraimi kthen topin në zonë ku Totre plason saktë për rezultat përfundimtarë Shkëndija 3, Rabotniçki 0.