
Jo vetëm që udhëheqin në Kategorinë e Parë dhe po bëhen gati për Superioren, por ekipi i Vorës ka nxjerrë talentë premtues për futbollin. Një prej tyre është Semanuel Zito. Djaloshi 17-vjeçar i ftuar në RTSH, foli për më shumë rreth karrierës së tij.
“Si lindi dëshira për futbollin? Dëshira për futbollin ka lindur nga babai, fillova në një ekip amator për rreth një vit. E nisa në moshën 6-7 vjeç dhe më pas më çoi në një ekip profesionist siç është ekipi i Alban Bushit, Akademia e Futbollit. Ndërsa vitin e fundit kam luajtur për ekipin e Vorës. Debutimi me ekipin e parë padyshim që të rrit moralin, është një ritëm tjetër në ndeshje, tjetër emocion, shokët dhe familja të shikojnë ndryshe.
Lojtari që ti ke idhull në Shqipëri? Armando Broja. Ka shpejtësi, finalizim, goditjet dhe lëvitjet. I ndjek ndeshjet e tij, por nuk kam pasur mundësi ta takoj, shpresoj në të ardhmen tek Kombëtarja.
Si janë kushtet e të luajtur futboll në Shqipëri? Janë të mira, sidomos tek ekipi i Vorës. Janë kushte të mira që të arrijnë të bëjnë një futbollist profesionist.
Ke pasur momente të vështira në karrierën tënde? Përveçse një dëmtimi, që më ka mbajtur jashtë për disa muaj, por ka kaluar.
E ke menduar ndonjëherë largimin nga futbolli? Jo nuk e kam menduar.
Si është rutina e ditës tënde? Rutina është shkolla, stërvitja, shtëpia dhe gjumi. Në shkollë jam disi mirë, por përkushtimin e kam tek futbolli dhe familja.
Kur realizon një gol ke ndonjë dedikim të veçantë? Goli është gol, si me rroveshatë si me portë bosh, të jep të njëjtin emocion.
Ke ndonjë ritual përpara se të dalësh në fushë? Nuk është se kam një të tillë, përpos regjimit që duhet mbajtur përpara ndeshjes.
Sa herë stërvitesh në javë? Stërvitem 5 ose 6 herë në javë, përpos ndeshjes.
Ke pasur ndonjëherë ndonjë agjent që të ka ndjekur në ndeshje? Në dijeninë time nuk ka pasur, nga Kombëtarja ka pasur. Jam grumbulluar disa herë në stërvitje me ta, por nuk kam luajtur asnjëherë me U-17. As vetë nuk e di pse nuk kam luajtur dhe nuk e kam diskutuar me trajnerin, por do të stërvitem dhe shpresoj që t’ia arrij një dite qëllimit.
Ku e sheh veten ti pas 5 ose 10 vitesh? Në një ndër 5 ligat më të mira të Europës. Më pëlqen më shumë Serie A, jam një tifoz juventin.
Ke ndonjë idhull nga futbolli botëror? Që i vogël kam pasur Cristiano Ronaldon, e kam pasur nga gjyshi. E shikoja dhe më emociononte si lojtar.
Si e feston ti një gol? Patjetër që me shokët, si të gjithë golat e tjerë.
Ke ndonjë ekip që do të luash në kampionatet shqiptare? Përveç Vorës jo, dua shumë që këtu të rritem si lojtar, të luaj, të marr minuta dhe shpresoj që një ditë të jem lojtar kryesor. Tek ekipi i Vorës lojtari që më pëlqen është Ruzgis. Është viti im i parë që luaj si sulmues i majtë, gjithë vitet e tjera kam luajtur si mesfushor 10-sh. Do të luaj ku të jetë e nevojshme për ekipin, si ta shikojë trajneri.
Ke pasur ndonjë moment të vëshitrë në ndeshje? Kur humbas ndonjë rast ose ndonjë penallti, normalisht që të bie morali, por duhet ta ngreshë kokën lart. Kam humbur penallti në Kupën e Shqipërisë në ndeshjen e parë çerekfinale, pastaj në ndeshjen e dytë shënova gol. Të humbasësh penallti është e vështirë, por duhet ta përballosh. Janë shokët e ekipit që të japin zemër dhe të bëjnë të luash mirë.”, u shpreh Zito.