
Partizani ka zhvilluar seancën e radhës stërvitore në kuadër të përgatitjeve për Korabin. Të kuqtë, nën drejtimin e trajnerit Starova kanë marrë ngarkesën e duhur për këtë sfidë që do të luhet të dielën në orën 17:30. Bëhet me dije që Lorenc Trashi është bashkuar sot me grupin. Kujtojmë që ai doli me barelë nga fusha e blertë në ndeshjen kundër Flamurtarit dhe të gjithë menduan se dëmtimi do të ishte i rëndë. Por, nuk ka ndodhur kështu teksa klubi i kuq përmes një njoftimi në kanalin zyrtar bënte me dije:
"Skuadra vijon përgatitjet për ndeshjen ndaj Korabit në program ditën e diel. Sot grupi i lojtarëve ka zhvilluar seancën stërvitore në orën 14:00 në kompleksin sportiv “Tirana Internacional” në Pezë. Me skuadrën është përgatitur normalisht edhe mesfushori Trashi i cili në sfidën ndaj Flamurtarit la fushën e lojës i dëmtuar. Seanca e të premtes do të zhvillohet në orën 15:00", përfundonte njoftimi i klubit të Partizanit.