
Afro 100 lojtarë të datëlindjeve të ndryshme kanë marrë vëmendjen e duhur këtë periudhë nga trajnerët e Kombëtareve të moshave. Alban Bushi, Nevil Dede, Elvin Beqiri dhe Armand Dema kanë vëzhguar talentet e reja që luajnë në Shqipëri, duke përzgjedhur mes tyre ata që spikatën. Prej kohësh kjo praktikë është ndjekur në vendet Europiane, teksa FSHF ka vënë theksin edhe te talentete vendase.
Sektori i Ekipeve Kombëtare në Federatën Shqiptare të Futbollit ka mbyllur ditën e djeshme seleksionimet dhe vëzhgimet për lojtarët e kampionateve kombëtare të datëlindjeve 2001-2004. Nga seleksionimet e zhvilluara këto tre ditë, janë vëzhguar nga afër rreth 100 lojtarë dhe pjesë e këtyre seleksionimeve kanë qenë edhe disa futbollistë të Akademisë Vllaznia.
Bëhet fjalë për ato të datëlindjes 2002 Nikaj, Çulaj e Xhahysa e për të vijuar me të tjerët e datëlindjeve të tjera, Kaçaj, Qerpiku, Spahija, Papaj, Perloshi, Alivoda, Bebeziqi e Maliqi, duke dëshmuar edhe njëherë se "Fidanishtja" e Vllaznisë vijon të prodhojë talente.