Luiza Gega është një nga sportistet më të suksesshme të historisë së Shqipërisë. Atletja e jashtëzakonshme mban rekorde e medalje të arta, argjendi e bronzi, si dhe çmime të rëndësishme me ‘shumicë’ duke e bërë flamurin kuqezi të valëvitet shpesh në garat ndërkombëtare.
Pak ditë më parë, ajo pati një reagim ndaj Ministrisë së Arsimit dhe Sportit duke u shprehur se nuk ka marrë ende një pjesë të shpërblimit që i është premtuar. Së fundmi, vjen një tjetër reagim në rrjete sociale ku ndër të tjera shprehet se po i pëlqejnë ofertat që po merr.
“Këtu futet shprehja: Qimja bëhet tra. Nuk kam kërkuar në asnjë moment që nuk kam marrë asgjë, thjeshtë jo të gjitha ato që më takon të marr. Nuk kam kërkuar kurrë asgjë që nuk më takon dhe nuk do ta kërkoj kurrë! Gjithsesi më pëlqejnë ofertat që po marr, po i mendoj me detaje para se të vendos”, shkruan Luiza Gega.
A është ky një kërcënim ndaj qeverisë për një largim të mundshëm nga Shqipëria të rekordmenes? Mbetet të shihet, por nëse ky skenar kthehet në realitet do të ishte një goditje e rëndë për sportin shqiptar që sheh t’i largohet një protagoniste absolute si Luiza Gega.