
Për herë të parë në Spanjë, ndeshja mes Real Sociedad dhe Real Betis që luhet më 15 prill ora 21:00, do transmetohet drejtpërdrejt në TikTok. Kjo është hera e parë jo vetëm në LaLiga, por në gjithë ligat e mëdha europiane.
Ndeshja do shfaqet në formatin vertikal, dimensioni 9:16 dhe në 4K. Do punojnë rreth 30 njerëz duke përdorur një pajisje të veçantë për të regjistruar në 4K. Drejtori i LaLiga-s në strategjitë digjitale, Alfredo Bermejo, tha: “Ky është një hap më shumë për LaLiga-n në rrugën për të ndërtuar një audiencë të re dhe për të afruar futbollin me të gjithë shikuesit.”
Betis, që drejtohet nga ish- trajneri i Manchester City-t dhe West Ham, Manuel Pellegrini, shkon në këtë ndeshje si vend i pestë, dy pikë më shumë se Real Sociedad i vendit të gjashtë dhe 4 më pak se Sevilla e vendit të katërt.