
Skuadra e Partizanit po kthehet në Shqipëri, pasi ka mbyllur fazën përgatitore në Antalia të Turqisë. Të kuqtë, të drejtuar nga trajneri Sulejman Starova kanë marrë ngarkesën e duhur dhe tashmë janë gati për fazën e tretë të Superiores. Lojtarët së bashku me stafin teknik, kanë lënë Antalian në orën 16:00 dhe tashmë ndodhen prej disa orësh në Stamboll, ku po presin avionin që do të udhëtojnë drejt Shqipërisë. Për këtë newsport.al kontaktoi me zëdhënësin për shtyp, Olsi Ranxhin, i cili deklaroi:
"Skuadra ndodhet në aeroportin e Stambollit, ku po pret orën për t'u nisur drejt Shqipërisë. Sicc dihet, udhëtojmë me linjë tranzit, ndaj ka disa orë që po presim avionin e "Turkish Airlines". Nuk ka asgjë alarmante, por thjesht skuadra pret orarin e fluturimit për të mbërritur në kryeqytet", ka përfunduar Olsi Ranxhi.
Sonte në mbrëmje skuadra e Partizanit pritet të mbërrijë në Rinas dhe në ditët në vazhdim do të rinisë stërvitjen intensive në Pezë-Helmas.