
Nga Saimir Demi
Meqënëse përpara rreth 53 vjetësh kam lindur dhe më pas jam rritur në rrugicat e Tiranës, si dhe për arsye se më dhembi në shpirt guerrilja e orës 4:30 të së djelës, sot kam dëshirë të shkruaj disa fjalë që nuk kanë lidhje me sportin, megjithëse në këtë kohë që po jetojmë ka shumë mundësi që edhe fjalët të të sjellin telashe të mëdha në familje, madje sa një fadromë.
Jo shumë ditë më parë, pasi u kthye nga një varrim, kryetari ynë i Bashkisë na bëri të ditur me pompozitetin që e karakterizon, se shtëpia e Maks Velos, që ndodhet diku në rrugën Hoxha Tahsin, të shpallet Monument Kulture. Ish-fqinji im, ndjesë pastë, është shquar si një njeri kontravers eksentrik, por asnjëherë një simbol i bashkëjetesës. Dikur ka fyer vendasit autoktonë, të cilët kanë pritur familjen e tij, ashtu si edhe timen, duke demostruar diçka që në mos ka lindur me njeriun, është zhvilluar si mëkat I madh gjatë jetës… mosmirënjohjen.
Më pas (ose edhe më herët, pasi nuk i mbaj mend bëmat kronologjikisht) është shprehur po me të njëjtën mënyrë për komunitetin mysliman, duke na cënuar bashkëjetesën fetare, një nga të paktat asete shpirtërore që na ka mbetur. Tani pyetja e thjeshtë për kryetarin është: Cila ja vlen më shumë për të qenë muze, shtëpia e Maksit dhe e së motrës, apo shtëpia e Naim Frashërit dhe e shokëve të tij?
Kam shkuar në atë teatër edhe atëherë kur duhet të mbaje rradhë për të gjetur një biletë edhe në kohë të vështira, ndërkohë që më ka bërë gjithmonë entuziast holli modest ku ishin të fiksuara fotot e aktorëve që kanë ndikuar në jetën time për të më zbutur shpirtin. Ndërsa drejtuesi i qytetit tim, pas shembjes së teatrit na doli si çdo ditë në ekrane dhe pas disa dublave dhe duke tentuar të aktronte, si për t’i dhënë kuptim mëkatit që po konsumonte, na bëri me dije se Teatri Kombëtar nuk kishte qenë kurrë një Monument Kulture. Vetëm 50 metra larg nga objekti që për ne të tjerët ishte më shumë se diçka dhe që këta iu sulën në të gdhirë, si hajdutët që mësyjnë shtëpinë e dikujt që ka marrë lejen e zakonshme, ndodhet një bunker.
Gjatë një manifestimi të dalë jashtë kontrollit, protestuesit tentuan të prishnin pikërisht atë bunkerin afër teatrit, me qëllimin se u kujtonte vitet e diktaturës komuniste. Ndërsa këta fadromistët e sotëm e mbrojtën me mish e me shpirt, më pas e restauruan dhe tani e kanë bërë muze. Madje nëpër Tiranë ka më shumë se një të tillë, vetëm se i kanë vënë emër arti, si për të na thënë se edhe atëherë kur u konceptuan kishin një qëllim po kaq shplodhës. Po i drejtohem kryetarit në numrin njëjës, megjithëse nuk është etike për hir të pozicionit të tij, madje është abuzuese, pasi ai nuk është miku im: Erion, cili mund të ishte një muze dinjitoz për Tiranën, ndërtesa e disa prej korifenjve tanë të artit, apo bunkerët e ndërtuar nga babai yt oficer?