Një ngjarje tragjike ka tronditur opinionin publik në Indi, ku një teniste e njohur në nivel kombëtar u vra nga babai i saj në shtëpinë e tyre luksoze pranë Delhit. Viktima është 25-vjeçarja Radhika Yadav, e cila u qëllua për vdekje teksa po përgatiste mëngjesin.
Sipas raportimeve të “Daily Mail”, autori i krimit, Deepak Yadav, përdori një armë që e posedonte me leje për të qëlluar vajzën e tij pesë herë, prej të cilave tre plumba e goditën në shpinë. Pavarësisht përpjekjeve për ta shpëtuar, sportistja ndërroi jetë në spital.
Policia bëri të ditur se autori ka pranuar krimin. Ai ka deklaruar se ndodhej nën presion psikologjik dhe ndihej i turpëruar, pasi banorë të zonës e tallnin se po jetonte në kurriz të suksesit dhe të ardhurave të së bijës. Këto komente e kishin futur në depresion dhe kishin përkeqësuar marrëdhëniet mes tyre.
Hetuesit zbuluan se në javët e fundit, Deepak Yadav kishte kërkuar që vajza të mbyllte akademinë e tenisit që kishte ngritur, por Radhika kishte refuzuar. Pak para vrasjes, mes tyre kishte shpërthyer një debat i ashpër që përfundoi në tragjedi.