
Mirlind Daku është një nga 27 lojtarët e grumbulluar nga Sylvinho për fazën përgatitore në Austri. Sulmuesi e mori vesh ftesën e brazilianit nga televizori, teksa shpërtheu në lot nga gëzimi.
Të gjithë u lumturuan për ftesën e lojtarit të Rubin Kazan, i cili me këto të fundit ka bërë paraqitje mjaft të shkëlyqera në kampionat. Në lidhje me ftesën për në Euro 2024 ka folur edhe Tahir Batatina.
Trajneri është shumë krenar për ish-lojtarin e tij, të cilin e ka stërvitur te Llapi, ndërsa tashmë do të luajë në një kampionat mjaft prestigjioz. Ndër të tjera timonieri i Llapit thekoi se është koha që 26-vjeçari të bëjë krenarë gjithë shqiptarët me paraqitjet e tij në Euro 2024.
“Shumë nuk kanë besuar që ai do jetë në Europian, por unë gjithmonë kam besuar tek ai. Sylvinho e ka përzgjedhur duke e ditur potencialin dhe formën që ai po kalon.
Jam shumë i lumtur që i kam besuar një sulmues si Mirlind Daku të cilin e mora në moshë të re tek Llapi, teksa tani ai do luajë në Europian, ndaj emrave të mëdhenj të futbollit evropian, për mua është privilegj e krenari e emocion, pasi ai ka marrë hapat e parë tek Kosova, u transferua jashtë dhe po bën karrierë të bujshme, e tani po përfaqëson kombin tonë në Europian, s’mund ta përshkruajë si ndjenjë. Është koha të bëjë krenarë të gjithë shqiptarët, jam i bindur se do t’ia dalë mbanë ”, ka theksuar Batatina për “Gazeta Blic Sport”.
