Në përfundim të ndeshjes me Kastriotin, e cila u zhvillua në fushën sportive të qytetit të Peshkopisë, kujtojmë se ndodhi incidenti ku u përfshinë të dyja skuadrat. Më i dëmtuar në këtë rast mbetet Korabi, i cili detyrohet që të luajë 15 ndeshje në fushë pa mbështetjen e tifozëve.
[caption id="attachment_17482" align="alignleft" width="300"] Kompleksi "Skënder Halili"[/caption]
Duke qenë se koha është e kufizuar, drejtuesit e Korabit kanë vendosur që skuadra të stërvitet dhe që ndeshjet t'i zhvillojë në Tiranë gjatë sezonit 2016-2017. Për këtë, presidenti Fehmi Mëziu dhe bashkëpunëtorët e tij kanë gjetur gjuhën e përbashkët dhe mirëkuptimin me klubin e futbollit Tirana.
Presidenti Refik Halili është treguar dashamirës dhe mikpritës i dibranëve, duke iu hapur dyert për sezonin 2016-2017 si për stërvitje, por edhe për të zhvilluar ndeshjet. Që nga muaji shtator, pra pas kthimit nga faza përgatitore, Korabi do të stërvitet në kompleksin "Skënder Halili" në orar paraditeje, ndërsa 18 ndeshjet që dibranët janë të detyruar që t'i luajnë si pritës, ata do t'i zhvillojnë në stadiumin e rikonstruktuar "Selman Stërmasi".
Kontrata mes palëve është firmosur mëngjesin e sotëm, ndërsa akordi verbal u arrit pas bisedimeve të kryera mes presidentit Halili dhe presidentit Mëziu ditën e djeshme. Zyrtarisht, Korabi tashmë renditet mes skuadrave të tjera të rretheve, të cilat e zhvillojnë aktivitetin në Tiranë.