
Ndonëse ditën e djeshme Korabi arriti akordin me mesfushorin e krahut të majtë, Ardit Peposhi, sot dibranët kanë arritur akordin edhe me një mesfushor të krahut të djathtë. Bëhet fjalë për ish-lojtarin e Apolonisë, Andi Prifti. Ky i fundit është aktivizuar për vite me radhë te fierakët, ndërsa u përfshi në listën e të larguarve edhe pse ishte në kontratë.
Gjithçka ndikoi në këtë aspekt, ku dibranët përfituan dhe e kontaktuan lojtarin, i cili njihet mjaft mirë edhe nga trajneri Artan Mërgjyshi, pasi e ka pasur nën urdhra në Fier. Ai tashmë ka firmosur për një vit dhe të hënën do të bashkohet me grupin në Peshkopi, aty ku do të zhvillohet faza përgatitore. Fieraku Andi Prifti është 27 vjeç dhe ka luajtur rregullisht për Apoloninë si kur ka qenë në Superiore, ashtu edhe në Kategorinë e Parë.