Këtë fundjavë do të startojë pjesa e dytë e kampionatit në Maqedoninë e Veriut, me Shkëndijën e Tetovës që do të udhëtojë drejt Strumicës, aty ku të besuarit e Ernest Gjokës do të përballen me Akademija Pandev. Trajneri nga Tirana ka folur në lidhje me situatën e klubit, dëmtimet, rivalët dhe tifozët. Gjoka, në bisedën për “Klan Macedonia” rrëfen edhe përforcimet e janarit, si dhe pritshmëritë për kampionët aktual të Maqedonisë së Veriut.
“Mendoj se Shkëndija ka bërë një fazë përgatitore të mirë. Në ato disiplina ku duhet të rregulloheshim them se i kemi kaluar me sukses dhe jemi të gatshëm që me përforcimet e bërë të përballojmë pjesën e mbetur. Kemi marrë disa lojtarë në disa pozicione. Kemi marrë Valon Ahmetin që njihet kush është, sigurisht edhe një lojtar nga Sllovakia që është aktivizuar edhe me kombëtaren. Mendoj se prurjet e reja do t’i japin rezultat ekipit, por gjithçka duhet në kohën e duhur sepse futbolli ka kohën e vet të përshtatjes.
Lojtari i ri El Sahal? Është lojtar i ri i talentuar. Ka kohë që ai të ambientohet dhe të njohë historinë e klubit, në mënyrë që ta dijë së çfarë do të thotë Shkëndija. Ndeshja? Ekip shumë i mirë, me cilësi. Do jetë një ndeshje e fortë, rivalësh. Po punojmë që mos dalim pa pikë. Kemi Dallkun me probleme dhe nëse stafi mjekësor mendon se ai duhet të pushojë, do pushojë. Tifozët? Tifozët janë mësuar ta shohin në elitë dhe kur ka rezultate jo të mira largohen. Ata janë oksigjeni ynë dhe mbështetja e tyre është vendimtare. Tifozët duhen në momente të vështira”, ka thënë Ernest Gjoka.