Interi arriti të merret ditën e djeshme një fitore të artë 2-0 në shtëpi ndaj Shakthar. Zikaltërit I falen dopietës së Dzeko dhe me humbjen e Sherifit nga Real Madrid, siguruan pas 10 vitesh kualifikimin mes 16 skuadrave më të mira të Europës. Interi përveç kualifikimit për në fazën e 1/8 ka mbushur edhe arkat nga UEFA.
“Calcio e Finanza” që merret me llogaritë e klubeve në Europë bën me dije se ziklatërit kanë fituar deri më tani rreth 60 milionë euro. Interi ka fituar nga bonusi i pjesëmarrjes 15.64 milionë euro dhe 15.9 milionë euro nga renditja historike. Këtyre shumave do t’i shtohet edhe pjesa e drejtave televizive, e cila për zikaltërit në rastin më të keq arrin në 10.7 milionë euro, por që sigurisht do të jetë më e lartë duke pasur parasysh rezultatet.
Sa i përket pjesës së rezultateve sportive, tre fitoret dhe një barazim kanë sjellë deri tani 9.33 milionë euro në arkat e Interit, një shifër që ende mund të përmirësohet me një fitore të mundshme kundër Real Madridit: në rast të një suksesi në Madrid, Interi do të grumbullonte 2.8 milionë euro të tjera, të cilave do t’u shtohet çdo shumë e pashpërndarë në raport me numrin e fitoreve në grup.
Së fundmi, Interi do të arkëtojë në rast të kalimit të turit: 9.6 milionë euro. Në total, çmimet e Champions-it arrijnë 58.37 milionë euro, një shifër që sigurisht është e destinuar të rritet nga të drejtat televizive dhe çdo rezultat tjetër bonus në grup, duke kaluar kështu 60 milionë euro.