
Arbnor Fejzullahi është i bindur se të kuqtë do të marrin tri pikët kundër Kukësit. Mbrojtësi i Partizanit, në një intervistë për Supersport pranon se edhe barazimi nuk do të ishte një rezultat i keq, por fitorja sipas tij do të çlironte 15 herë kampionët e vendit dhe do t'i afronte me trofeun e Superligës.
Fejzullahi: "Është një ndeshje e rëndësishme kundër një kundërshtari rival për titull. Nëse fitojmë do të na lehtësohet rruga drejt titullit kampion dhe kjo e bën shumë të rëndësishme këtë përballje. Ne do të hyjmë në fushë vetëm për fitore, që të jemi edhe më të qetë. Por, edhe barazimi nuk do të ishte një rezultat i keq. Mendoj se do të jetë momenti ta fitojmë këtë ndeshje. Besoj se do tia dalim", shprehet Fejzullahi për Supersport.
Për Fejzullahin, Kukësi është një ekip cilësor, por Partizani ka forcën dhe kualitetin të zgjidhë ndeshjet nëpërmjet çdo situate.
Fejzullahi: "Partizani nuk ka vetëm një pikë të fort. Jemi një skuadër e fortë. Mund ti zgjidhim ndeshjet nga sulmi, mesfusha dhe mbrojtja. Kukësi është një ekip i mirë, këtë e ka treguar gjatë këtij sezoni".
Mbrojtësi nga Lugina e Preshevës ishte një ndër më të spikaturit në derbin e fituar ndaj Tiranës, duke dhënë asistin e golit të fitores për Sukajn.
Fejzullahi: "Është hera e dytë që jap asist në derbi për Sukajn. Ishte një fitore shumë e rëndësishme në rrugën drejt titullit. Kjo më bëri të ndihesha shumë i lumtur që ndihmova skuadrën të fitonte. Me shënimin e golit, Sukaj ka marrë edhe më tepër zemër. Këtë do e tregojë edhe në ndeshje të tjera, ku do ta ndihmojë ekipin", përfundon mbrojtësi i Partizanit, Arbnor Fejzullahi për Supersport.