
Futbolli italian po feston hyrjen e tre skuadrave në finalet e garave të UEFA-s. Pas kualifikimit të Interit në Champions League të martën – në fund të një derbi emocionues të dyfishtë kundër Milanit – Roma u kualifikua në Europa League dhe Fiorentina në Ligën e Konferencës mbrëmë. I lumtur dhe krenar shprehet presidenti i Federatës Italiane, Gravina.
“Interi, Roma dhe Fiorentina ishin të jashtëzakonshme, arritën një rezultat të jashtëzakonshëm për të gjithë lëvizjen. Entuziazmi i krijuar nga këto suksese është diçka unike për të cilën përgëzoj drejtuesit përkatës, stafin teknik dhe lojtarët, sepse tre finalet e garave të UEFA-s janë rezultat i një projekti teknik shumë të vlefshëm. Përveç finalistëve, suksesin ndërkombëtar të futbollit italian e forcoi edhe ecuria pozitive e Milanit dhe Juventusit. Këto rezultate e kanë vendosur futbollin tonë në qendër të vëmendjes evropiane: falë këtyre klubeve, Italia tashmë ka fituar!
Tani do të brohorasim për sukseset, sigurisht që nuk do të jetë e lehtë, por jam i bindur që të tre kanë një shans të mirë. Për të ardhmen, shpresa është që duke mbështetur punën e Federatës për të rinjtë, ekuilibrin ekonomiko-financiar dhe stadiumet, këto rezultate të bëhen gjithnjë e më të vazhdueshme me kalimin e kohës”.