Emri i ri i "Arenës Kombëtare" që do të quhet "Air Albania Stadium" ka nxitur mjaft reagime në vend.
Së fundmi, është ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani që ka komentuar këtë vendim të FSHF-së për t'i shitur tagrin e emrit kompanisë ajrore shqiptare. Përmes një statusi në rrjetet sociale, ai ironizon duke shkruar:
"Stadiumi i plotëson të gjitha kushtet që të quhet Erdogan, jo Air Albania!
Është ndërtim i dhunshëm; i sajuar; i ndërtuar për qejf të udhëheqësit; me pare pa hesap; me kontrata të dyshimta; me stil e mall turk dhe kundër dëshirës së qytetarisë, pra fiks ERDOGAN.
Do kishte shumë më kuptim emri Erdogan sesa budallëku Air Albania, rast unik ky që stadiumit i vihet emri i një kompanie ajrore!
Do kishte pa dyshim më shumë kuptim emri simbol i dhunës Erdogan sesa emri i qytetarisë Qemal Stafa.
Nejse kështu ndodh kur e ke kryeministrin gjys-artist e gjys-sportist. Nuk është tamam për asnjërën...", ka përfunduar ai.
Kujtojmë që për emrin e ri do të paguhet një shumë prej 650 mijë eurosh në vit, kontratë që është lidhur për 5 vite mes FSHF-së dhe "Air Albania".
