Armando Broja e nisi titullar sfidën me Fulham në Premier League, me sulmuesin shqiptar që zbriti për herë të parë në fushë nga minuta e parë që pas rikthimit nga dëmtimi. 22-vjeçari arriti të shënonte një gol fantastik në derbi duke ngritur “peshë” zemrat e tifozëve.
Por alarmoi të gjithë tifozët shqiptarë dhe Sylvinhon, teksa në minutën e 65-të la fushën e lojës i shoqëruar nga stafi mjekësor i “Bluve”. Por fatmirësisht Broja nuk ka pësuar asnjë dëmtim dhe këtë situatë e shpjegoi vetë sulmuesi pas ndeshjes.
Arsyeja sipas tij ishte se është ndjerë i lodhur dhe në këto kushte i kërkoi Pochettinos ta zëvendësonte, ku në vendin e tij hyri Sterling. Kjo padiksutim ka qetësuar stafin e kombëtares kuqezi, pasi tashmë sulmuesi do të jetë i gatshëm për duelin me Çekinë që do të luhet më 12 tetor në orën 20:45 në “Air Albania”. Kjo sfidë është vlefshme për kualifikueset e Euro 2024.