
Mikel Canka ka folur në E hëna Sportive. Kapiteni dhe sulmuesi i Tomorit këtë sezon po bën një sezon të mirë, me beratasit që janë në garë për t'u ngjitur në Superligë. Lushnjari ka treguar se është një "Ujk i Vjetër", ndërsa ka treguar problemet e fillim-sezonit. Canka "jep besën" se nëse luan në Shqipëri, do qëndrojë me 90 përqind në Berat pasi ndihet sin ë shtëpinë e tij.
"Objektivi ka qënë që të renditemi mes katër skuadrave më të mira, por fati na buzëqeshi dhe tani le të shikojmë më lartë. Kishim gjithë javën që kishim punuar për sfidën e fituar me Egnatian, e kishim përgatitur nga ana emocionale, teknike, në çdo gjë. U grumbulluam në Berat një ditë para sfidës, ishte një ndeshje që mezi po e prisnim të gjithë. Edhe mbështetja financiare nuk na ka munguar, morëm premio. Treguam vlerat tona, hapëm dhe kampionatin.
E nisëm pak keq sezonin, por vazhduam punën tonë. Në përbërje ka lojtarë që kanë luftuar gjithmonë për Superligë, ose kanë luajtur në Superligë, nuk janë mësuar të qëndrojnë në nivele të tilla. Jemi të kënaqur me situatën aktuale. Tani kemi pretendime të mëdha, jemi afruar, largësia është vetëm dy pikë. Përse nuk duhet të përmendim fjalën elitë! Ky është Tomori që duan të gjithë, me ambientin me grupin e lojtarëve, me trajnerin, mbështetësit tanë. Tifozët vijnë dhe na mbështesin gjithmonë në stërvitje.
Ofertat? Marëdhëniet e mia me Tomorin janë shumë të mira. Nuk mund të flas para kohe, por me 90% mendoj se do të qëndroj atje. Nëse do jem në Shqipëri, me 90% do të qëndroj tek Tomori, ndihem si në shtëpinë time", tha Mikel Canka.