Ernest Muçi bëhet gati për sprintin final të sezonit teksa do të jetë një pikë kyçe për Besiktas në arritjen e objektivave. Kryeqytetasit do të përballen nesër me Ankaragucu në gjysmëfinalen e kthimit të Kupës dhe fitorja është kusht pas barazimit pa gola në ndeshjen e parë.
Menjëherë pas kësaj, do të rikthehen në fushë për kampionatin ku do të luajë 3 ndeshjet e fundit ndaj Alanyaspor, Hatayspor dhe Kasimpasa. Tre finale ku kërkohet me çdo kusht maksimumi për të kapur zonën e Europës teksa aktualisht janë në vendin e 5-të me 54 pikë, 1 më pak se Basaksehir i Conference League dhe 4 nga Trabzonspor në Europa League.
S'do të jetë aspak e lehtë dhe Muçi do të jap maksimumin për të arritur objektivat. Duhet motivim dhe ku ka më mirë se të të ‘mbushet’ zemra përpara një ‘turi’ të tillë. Dashuria është një motiv i madh dhe në Stamboll ka mbërritur njeriu i tij i zemrës.
Klea Verri, basketbollistja e Tiranës, pasi fitoi kampionatin e vajzave me bardheblutë u nis menjëherë drejt futbollistit të Kombëtares, siç duket edhe nga foto e ndarë në Instagramin e saj. Ernesti dhe Klea janë të lidhur prej vitesh, që nga gjimnazi, dhe jetën sentimentale kanë preferuar ta mbajnë private, megjithatë nuk mungojnë ‘zemrat’ në komente apo foto të ndara në rrjete sociale.