I kanë dhënë fund martesës së tyre pas 9 vitesh, një ndër çifte më të njohura në botën e sportit. Ish-tenistja 38-vjeçare, Ana Ivanovic ka paraqitur kërkesën për divorc nga bashkëshorti i saj, ish-“ylli” i Bayern Munich, Bastian Schweinsteiger.
Çifti u martua në Venezia në vitin 2016, ndërsa ndarja ka ndodhur në fillim të këtij viti. Sipas “Bild”, Ivanovic ka dorëzuar zyrtarisht dokumentet e divorcit, ku ka kërkuar gjithashtu përkujdesjen për fëmijët në Palma de Mallorca. Pasi aktualisht po jeton atje me tre djemtë e saj Luka, Leon dhe Teo.
Nga ana tjetër, “Mail Sport” raporton se ndarja erdhi pas një “krize të thellë”, ku stili i ndryshe i jetesës luajti rol të madh. 41-vjeçari udhëtonte shpesh për punën si komentator, pas një karriere të gjatë te Bayerni, Manchester United dhe Chicago Fire, ndërsa Ivanovic dëshironte të qëndronte me fëmijët.
Situata u rëndua edhe më shumë në qershor të këtij viti, pasi qarkullonin kudo titujt rozë të cilët pretendonin se ish-mesfushori i Bayern Munich, Schweinsteiger është parë duke u puthur me një vajzë.
