Dita e premte, si dita e ndeshjes së skuadrës kombëtare të futbollit me përfaqësuesen italiane e vlefshme për eleminatoret e Botërorit, Federata Shqiptare e Futbollit ka planifikuar për të zhvilluar dy evente të rëndësishme, ku spikat edhe një takim me arbëreshët e Horës ne Bashkine e tyre, pikërisht të premten e datës 24 mars, në orën 10:00.
Arbëreshëvet e Horës janë një komunitet më vete që jetojnë prej vitesh e vitesh në këtë zonë të Palermos dhe tashmë me ardhjen e skuadrës kombëtare atje, ata do të jenë prezentë në një aktivitet enkas. Nga Federata Shqiptare e Futbollit do të jetë një delegacion i gjerë për të pritur arbëreshët e Horës, përfshirë këtu edhe një përfaqësues nga TKZ (tifozët kuqezi).
Ndërkaq, kanë konfirmuar prezencën e tyre në këtë takim edhe ish-kapiteni i skuadrës kombëtare të futbollit Lorik Canaj, si dhe portieri i skuadrës përfaqësuese, Etrit Berisha. Presidenti i FSHF-së, Armand Duka në këtë takim do të jetë i shoqëruar nga dy zv.presidentët Nuri e Libohova, nga sekretari i përgjithshëm Ilir Shulku, teksa vetë kreu I FSHF-së do ti dorëzojë këtij komuniteti edhe një Pllakatë Falenderimi dhe Mirënjohjeje për kontributin e Bashkisë së Horës dhe Arbëreshëvet për ruajtjen e gjuhës dhe traditave, prej qindra vjetësh.
Kjo mënyrë frymëzuese, e ruajtjes së vlerave kombëtare, ka mirënjohjen e pakufijshme të FSHF-së dhe vetë shqiptarëve. Takimi do të zhvillohet në Bashkinë Hores së Arbereshevet. Vetë kryetari i Bashkisë së Horës Vito Scalia, Mateo Manadala’, Profesor i letersise shqipe, si dhe drejtues i njësisë shkencore të albanologjisë në Universitetin e Palermos, Giorgio Cuccia, President i Shoqatës turistike" Proloco" (Per Vendin), përfaqësues të Komunineti Shqiptar në Piana degli Albanesi, Giuseppe Catalano, Presidenti i ekipit te futbollit Arbereshe "ASD San Giorgio", si dhe përfaqësues të grupimit të tifozëve "Arbëreshë" do të jenë pjesë e një eventi të tillë që Federata e Futbollit ka planifikuar të zhvillojë të premtën e 24 marsit në Bashkinë e Horas. Takimi do të transmetohet LIVE nga mediat shqiptare dhe ato italiane lokale.