
Tërmeti i madh që goditi vendin në mëngjesin e 26 nëntorit, ka prekur edhe familjen e të ndjerit Çim Vladi. Ish-futbollisti i legjendar i Tiranës u nda nga jeta në moshë të re pas një infarkti akut. Tashmë familja e tij ka mbetur në qiell të hapur pasi shtëpia prej qerpiçi është rrënuar.
Megjithatë qeveria u ka ardhur në ndihmë, ku fillimisht u ka ofruar një shtëpi me qera me kushte të mira, ndërsa në ditët në vazhdim priten të nisin punimet për të sjellë "në jetë" shtëpinë e re. Kryeministri Edi Rama së bashku me kryebashkiakun Erion Veliaj kanë vizituar sot familjen e Vladit ku ndër të tjera i pari i qeverisë ka deklaruar:
"Kam pas shumë respekt për bashkëshortin tuaj. Përveçse se një futbollist i kalibrit, ishte një njeri fantastik. Nuk e kam njohur shumë nga afër, por shumë respekt. Më kujtohet që të gjithë flisnin me superlativa si një çun Tirone.
Jam marrë që në mëngjes dhe po punojmë të arrijmë marrëveshjen me një kompani turke për të ndërtuar një super shtëpi që është ekologjike dhe antisizmike", është shprehur Rama.
Bashkëshortja: "Faleminderit. Ishte vërtetë i mirë. Por, ne mbetëm në këto rrethana se ai kur luajti futboll ai, aq paguhej. Kur ishte trajner deri ditën kur vdiq, se vdiq nga një infarkt. Unë mundohem nga mëngjesi në darkë të punoj. Tani na ra edhe kjo fatkeqësi si gjithë shqiptarëve. Uroj ta kalojmë të tërë sa më mirë".