
Luisi, 14-vjeçari i plagosur gjatë konfliktit pranë shkollës “Fan Noli”, ku humbi jetën Martin Cani, ka dhënë një intervistë ekskluzive për Euronews Albania, duke zbuluar detaje të reja mbi ngjarjen e rëndë.
Ai ka kërkuar që të bëhet sërish ekspertiza mjekoligjore, pasi pretendon se është goditur nga dy persona me thika të ndryshme.
“Kam shumë dhimbje dhe nuk mund të flas shumë, por dua që të vijnë dhe të bëjnë ekspertizën. Dua që e vërteta të dalë në dritë,” tha Luisi.
Sipas tij, në vendngjarje kanë qenë tre persona. Dy prej tyre, të armatosur me thika, janë ata që e sulmuan. Luisi identifikoi një prej autorëve si Mario, ndërsa përshkroi të dytin si një djalë me flokë të gjata, të cilin nuk e kishte parë më parë, por dyshon se është bashkëmoshatar i tij. Luisi tregoi gjithashtu për një person të tretë, që sipas tij nuk ishte i përfshirë në sherr, por vetëm e kishte ngritur nga toka pas incidentit.
“Nga ai moment mbaj mend që shoku i Marjos, një djalë me flokë të gjata më goditi pas shpine. U ktheva, e godita. Kur u ktheva përsëri pashë që Mario kishte nxjerrë thikën dhe po godiste Martinin në zemër, shkova direkt për të mbrojtur Martinin. Më pas më kapi një burrë që nuk e pashë kush ishte, më kapi dhe më ngriti në ajër. Kur u ktheva prapë pashë që Mario ishte ngritur dhe më drejtoi thikën për në zëmër.
Vura dorën përpara. Thika më preku vetëm pak zemrën. Më pas ai kaloi thikën nga dora e majtë në të djathë dhe donte të më sulmonte në fyt. Unë ula kokën dhe e godita me dorën e vetë në ballë. Pastaj vazhdoi lufta. Ai më qëlloi 6 herë në pjesën e kraharorit, por 4 herë më kapi. Unë pashë që thika e tij ishte më e madhe se dora ime dhe u tremba. Shkova dy hapa pas dhe e qëllova në fytyrë.
Më rrethuan dy. Nga frika që kisha i qëllova aq fortë, sa njërit ia përplasa kokën te hekuri, Marios. Atij tjetrit i kam qëlluar në sy dhe ia futa vrapit”, rrëfen Luisi.