Jasir Asani padiskutim është një nga futbollistët më të mirë që ka luajtur në Superiore. “Mëngjarashi” shkëlqeu me Partizanin, me të cilët fitoi edhe një titull kampion.
Kaq mjaftoi që 30-vjeçari të tërhiqte vëmendjen e disa klubeve dhe nga “Demat” më pas vazhdoi karrierën jashtë vendit tonë, ku prej vitesh tashmë është edhe një element kyç i Kombëtares shqiptare.
Por pavarësisht se ka vite që është larguar nga Partizani, siç duket Asani nuk “shkëputet” dot nga të kuqtë. Kjo pasi së fundmi është parë nën shoqërinë e drejtorit sportiv të kryeqytetasve. Ndërkohë nuk ka kursyer edhe elozhet për të.
“Drejtori më i mirë”, ka shkruar Asani krahas foto me Ildi Dajlanin, i cili është menaxheri i të kuqve. Siç dihet Partizani nuk po kalon një moment aspak të mirë në kampionat dhe padiksutim që tifozët pas kësaj fotoje do t'u rikthehet "nostalgjia" për "mëngjarashin".
Ndërkohë Asani ndodhet në Shqipëri, pasi është pjesë e Kombëtares, me kuqezinjtë që ditën e nesërme do të luajnë ndaj Anglisë në "Air Albania", ora 18:00 dhe kjo do të jetë sfida e fundit kualifikuese e Kupës së Botës 2026.
