Gjykata Supreme e Spanjës ka liruar Shakirën nga akuzat për evazion fiskal, duke rrëzuar një gjobë prej 55 milionë eurosh të vendosur ndaj saj në vitin 2021.
Sipas vendimit, autoritetet tatimore nuk arritën të provonin se këngëtarja kishte qëndruar në Spanjë mbi 183 ditë gjatë vitit 2011, kusht ky për t’u konsideruar rezidente tatimore.
Pas shqyrtimit të ankesës, gjykata urdhëroi shtetin spanjoll t’i rikthejë artistes më shumë se 60 milionë euro, së bashku me interesat përkatëse.
Autoritetet kishin argumentuar se lidhja e saj me Gerard Pique dhe aktivitetet në Spanjë e bënin atë rezidente tatimore, por gjykata e konsideroi këtë pretendim të paprovuar.
Avokati i Shakirës, Jose Luis Prada, e cilësoi vendimin si fundin e “8 viteve vuajtje”, ndërsa vetë këngëtarja deklaroi se shpreson që ky rast të shërbejë si precedent për qytetarët që përballen me abuzime administrative.
Megjithatë, çështja mbetet e hapur për apel dhe nuk lidhet me hetimet tatimore për vitet pas 2011, ndërsa në vitin 2023, Shakira kishte arritur një marrëveshje tjetër me prokurorët për taksat e periudhës 2012–2014.
