
Ernest Gjoka këtë sezon drejton Shkëndijën e Tetovës, duke bërë edhe disa afrime të rëndësishme për ekipin shqiptar që luan në elitën e Maqedonisë së Veriut. Trajneri nuk e ka fshehur dëshirën për të pasur lojtarë të tjetë në ekip, aqsa thekson se ndonjë lojtar i ekipeve kombëtare do t'i bënte punë.
Në një prononcim për kanalin zyrtar të klubit, trajneri që më herët ka drejtuar klube të rëndësishme në Shqipëri, i ka lënë kështu derën hapur emrave të përfolur në merkato. Shkëndija e Tetovës është në gjurmët e Arlind Ajetit, lojtarit që ka zhvilluar edhe 20 paraqitje me Kombëtaren e Shqipërisë. Së fundmi, Ajeti është pa skuadër duke prishur kontratën me Grasshopers përpara gjashtë muajsh.
"Sa i përket merkatos mendoj se Shkëndija është një skuadër e plotësuar me lojtarë. Ne kemi një skuadër që unë besoj se kemi cilësi brenda, kemi edhe lojtarët kyç të skuadrës, por sigurisht që kemi bërë disa ndërhyrje në ato pika që ne kemi menduar se kemi pasur munguesa. Kështu që edhe sa i përket merkatos, mendoj se Shkëndija gradualisht është plotësuar në total. Por merkato do të jetë e gjatë dhe mendoj se në qoftë se do kemi mundësi ose do na vijë ndonjë lojtar që mund të jetë një lojtar që do na sjellë akoma më shumë cilësi, një lojtar që do të ishte ndoshta i ndonjë ekipi kombëtar, pse jo edhe në Ballkan apo edhe jashta Ballkanit në Europë, ne nuk do të themi jo! Por sigurisht brenda atyre mënyrave dhe strategjisë që ne mendojmë se mund të na hyjë në punë dhe të na sjellë edhe cilësi edhe freski dhe sidomos besim për të ecur përpara", është shprehur mes të tjerash Gjoka.