Trajneri Alban Bushi ka zbuluar pak ditë më parë listën me lojtarët e grumbulluar në seleksionimet e Shpresave kuqezi.
Pjesë zyrtare e ekipit të Shqipërisë U21 është edhe Emir Sahiti, 18-vjeçari që aktivizohet te skuadra e Rabotniçkit në Maqedoni.
Sulmuesi i talentuar nga Kosova, ka qenë edhe në sfidën kundër Izraelit i grumbulluar me ekipin Shpresa të Shqipërisë, por për shkak të pasaportës nuk mundi të aktivizohej.
Tani ky problem është zgjidhur dhe Sahiti do të jetë pjesë e rëndësishme e Kombëtares U21. Në një intervistë për newsport.al, 18-vjeçari shprehet se nuk kishte asnjë dyshim për të zgjedhur Shqipërinë dhe se do të japë maksimumin për të qenë pjesë e pandarë e kuqezinjve.
“Jam shumë i lumtur për ftesën që kam marrë nga Shpresat e Shqipërisë. Kam pasur ftesë nga Maqedonia, por nuk kam pranuar të luaj për të. Unë jam shqiptar dhe kam dëshirë të luaj për kombëtaren e Shqipërisë. Kosova? Nuk kam pasur ftesë nga Kosova.
Për sa i përket objektivave që kemi me Shpresat, mendoj se kemi një ekip shumë të mirë. Jemi duke u kompletuar dhe besoj se do të bëjmë të pamundurën të arrijmë suksesin e destinuar dhe unë do të jap maksimumin tim për të qenë pjesë e këtij suksesi dhe të ndihmoj Kombëtaren U21”, shprehet për newsport.al, talenti Emir Sahiti.
Pak javë më parë, në krye të ekipit tonë Shpresa u emërua Alban Bushi si trajner. I pyetur se cili ka qenë impakti i tij i parë në takimin me ish-sulmuesin e Kombëtares kuqezi, 18-vjeçari i Rabotniçkit pohon: “Kam biseduar me trajnerin dhe besoj se do shkojmë shumë mirë në bashkëpunimin tonë. E konsideroj shumë të rëndësishëm për ekipin Kombëtar U21, sepse është një ish-legjendë e ekipit tonë përfaqësues dhe një person që e njeh mjaft mirë ambientin e Kombëtares".
Prej janarit të 2015-ës, Emir Sahiti është pjesë e skuadrës së Rabotniçkit në Maqedoni.
"Jam shumë i lumtur tek ekipi im. Është skuadër që i jep hapësira futbollistëve të rinj, për të treguar vlerat dhe për të kaluar në ekipe të mëdha në Europë. Kjo është edhe ëndrra ime, që një ditë të luaj në një klub të madh europian. Besoj shumë se do t'ia arrij", përfundon Emir Sahiti për newsport.al./ NEWSPORT.AL/ Andi TANKU