
Kosova është ende pa trajner pas shkarkimit të Primoz Gliha. Përfaqësuesja dardane është në kërkim të një “timonieri” të ri ku emrat e përfolur janë të shumtë. Ilir Daja është një nga kandidatët kryesorë dhe së fundmi mediet kosovare e kanë nxjerrë në “pole-position” për këtë pozicion.
Telegrafi raporton se tekniku kryeqytetas është më i preferuari nga drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës dhe është favorit për të marrë drejtimin e Kosovës.
Gjithashtu nga emrat e përfolur ishin edhe Nenad Graçan dhe Blaz Sliskoviç, por me sa duket Ilir Daja ia ka dalë të fitojë më shumë kuota. Pritet me interes të shihet se çdo të ndodhë, teksa trajneri kryeqytetas ka shkruar historinë në futbollin kosovar duke kualifikuar dy herë në grupet e Conference League skuadrën e Ballkanit.