Në Serinë A rikthehen seancat stërvitore në grup, ndryshime në Protokollin mjekësor. Komiteti shkencor dhe teknik (CMT) i Italisë i lejoi klubet e Serie A të zhvillojnë seance stërvitore në grup. Komiteti aprovoi një version të ri të Protokollit mjekësor me disa ndryshime. Pika që parashikonte karantinimin e të gjithë ekipit në rast se një lojtar rezultonte pozitiv në analizën e Coronavirusit, u hoq.
Klubet e Serie A kundërshtuan klauzolën e parashikuar në Protokollin mjekësor sipas së cilës, nëse të paktën një lojtar do të rezultonte i infektuar,e gjithë skuadra duhej të shkonte në një karantinë 15-ditore.
Tashme me përcaktimet e reja në Protokollin e ri mjekësor parashikohet se, në rast një prej lojtarëve do të rezultojë pozitiv me COVID-19, ai do të vendoset në karantinë, ndërsa pjesa tjetër e ekipit do të jetë në gjendje të vazhdojë stërvitjen, duke iu nënshtruar testimit të Coronavirusit.
Pak ditë me parë u bë e ditur se ndalimi i ngjarjeve sportive në Itali ishte zgjatur deri më 14 qershor.