
Dinamo luan nesër kundër Vllaznisë në orën 16:45. Sfida e “Elbasan Arena” vlen për javën e 32 në Superligë, teksa është komentuar edhe nga trajneri i Bluve, Rodolfo Vanoli.
Italiani ka thënë se ka kontratë tre vjeçare dhe nuk do vinte në Shqipëri vetëm për dy muaj. Dinamo mban vendin e parafundit në Superligë dhe rrezikon rënien.
"E dimë se do të kemi një kundërshtar të fortë përballë, por ne do të bëjmë ndeshjen tonë dhe do të mundohemi të ndryshojmë trendin e rezultateve negative. Futbolli është i tillë, nuk ka garanci dhe nuk i prisja këto rezultate. Skuadra më është përgjigjur e megjithatë sot vlejnë vetëm rezultatet.
E ardhmja- Kam ardhur këtu me një marrëveshje për tre sezone, me objektiv rikthimin e Dinamos aty ku i takon. Kam ardhur për një projekt të rëndësishëm dhe kurrsesi nuk do të pranoja të vija vetëm për dy muaj. Më vjen keq që nuk ia kemi dalë të përmbushim pritshmëritë.
Kritikat - Të gjithë kanë të drejtën për të folur, por unë mendoj se dora e Vanolit në skuadër është ndjerë. Kemi luajtur si të barabartë me të gjithë dhe jemi penalizuar nga episodet. Të gjithë mund të japin opinionin e tyre dhe unë i respektoj.
Mbijetesa - Nuk jemi dorëzuar ende, duhet të luftojmë deri në fund, të paktën për respekt të klubit, fanellës dhe tifozëve", tha Vanoli.